Mungesa e reshjeve atmosferike ka bërë që të bie niveli i ujit në liqenet akumuluese të Kosovës. Shtoji kësaj faktin se Kosova është shtet me stres ujor, që nënkupton se nuk ka mjaftueshëm ujë. Por paraqitja e COVID-19 ka shtuar zërat institucionalë për mbajtje gjithnjë e më të madhe të higjienës personale, pra, larje sa më të shpeshtë të duarve dhe rrobave. Duke i numëruar këto fakte, një pyetje që mund të ngrihet në këtë situatë është edhe ajo se a po na kanoset edhe një krizë tjetër, mungesa e ujit të pijes?
Për të kuptuar këtë çështje të rëndësishme, portali motilokal.com zhvilloi një intervistë me ekspertin për menaxhimin e ujërave z. Baton Begolli, këshilltar për politika ujore pranë Qeverisë së Kosovës.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
z. Begolli, përjetuam një verë dhe dimër të thatë, ndërsa liqenet akumuluese patën një rënie të madhe të nivelit. Tani, jemi duke u përballur me pandeminë COVID-19 të izoluar nëpër shtëpi dhe shpenzimi i ujit mund të jetë më i madh. A do të thotë kjo se mund të rrezikohemi edhe me një krizë tjetër?
Të reshurat e fundit, ndonëse të pamjaftueshme, kanë përmirësuar sado pak nivelin e liqeneve të Kosovës. Tre liqenet më të ndikuara ishin ato të Përlpenicës, Batllavës dhe Badovcit, që akoma janë mbi 10 metra nën nivelin e kapërderdhjes, por menaxhimi i mirë i krizës nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve ka bërë të mundur sigurimin e ujit, edhe pse qyteti i Gjilanit vazhdon të ketë reduktime.
Sidoqoftë, akoma ngelemi në periudhë thatësie dhe shpresojmë në lajmërimin e reshjeve gjatë muajve të pranverës. Normalisht, se gjatë kësaj periudhe të izolimit kemi më pak dyndje në Prishtinë dhe rrethinë e që në një mënyrë ka ulur shfrytëzimin e ujit. Po ashtu, përdorimi i ujit është më racional, sepse qëndrimi brenda zvogëlon nevojën për pastrim krahasuar me daljet e vazhdueshme në rrethana normale.
Në mungesë të reshjeve atmosferike, a është zgjidhje për furnizimin me ujë të kryeqytetit fabrika e re e ujit në Shkabaj, duke e parë gjendjen e ujit në liqenet e Batllavës, Badovcit dhe të Përlepnicës. A ka vend për panik?
Fabrika e trajtimit të ujit në Shkabaj e ka larë veten, sepse ka siguruar ujë të mjaftueshëm për rajonin e Prishtinës, duke plotësuar kapacitetet ekzistuese të liqeneve të Batllavës dhe Badovcit, dhe ujërave nëntokësore. Kujtoni thatësinë e vitit 2012/2013, kur nuk kishte ujë në dispozicion për më tepër se tre muaj, dhe po të mos kishim pasur reshjet e prillit 2014 do të kishim situatë krejtësisht tjetër gjatë viteve vijuese. Tani e dy vite, ani pse nivelet e Batllavës dhe Badovcit kanë rënë dukshëm, nevojat plotësohen nga uji i impiantit në Shkabaj që na siguron ujë nga liqeni i Ujmanit.
Sa i takon panikut, mendoj se hëpërhë nuk ka vend për të, pasi që nuk ka rrezik të mbesim pa ujë të pijes. Edhe po të vazhdonte thatësia edhe një vit, ka ujë të mjaftueshëm megjithëse në këtë rast sigurisht se do të mendohej aplikimi i reduktimeve. Për shembull, situata më kritike ka qenë në liqenin e Përlepnicës që furnizon qytetin e Gjilanit ku niveli kishte rënë në 7.8 metra nga 30 metra gjithsej, e sot ka arritur në 18 metra. Bashkëveprimi i mirë mes Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidromorava me komunën e Gjilanit ka bërë të mundur evitimin e keqpërdorimeve dhe pasjen e ujit, ndonëse me reduktime.
Në anën tjetër, nivelet e liqeneve të Batllavës dhe Badovcit, momentalisht janë 8.4 metra, repektivisht 10.2 metra nën nivelin maksimal. Prandaj, qytetarët qoftë nëpër shtëpi, objekte afariste apo institucionale e kanë rolin e tyre – që ta kursejnë ujin dhe të tregohen më të përgjegjshëm në riparimin e çdo prishje e mos të lejojnë humbje të kotë të ujit.
Por periudhat e thatësisë si kjo tani, e të cilat po ndodhin gjithnjë e më shpesh si pasojë e ndryshimeve klimatike, duhet të shërbejnë si këmbanë të vendimmarrësit që të angazhohen në ndërtimin e akumulacioneve të reja për të plotësuar nevojat e shoqërisë dhe zhvillimit ekonomik në periudha afatgjate si dhe të mbrojnë edhe më rreptë liqenet ekzistuese.
Para ca ditësh ju bëtë një thirrje publike që të paguhen faturat e ujit. A do të thotë se nëse nuk kryhen pagesat me kohë, kjo mund të ndikojë edhe në furnizimin me ujë?
Janë disa që punojnë e nuk ju njihet puna, sepse qytetarët shërbimin e tyre e marrin si të mirëqenë. Furnizimi me ujë është një shërbim i tillë. Mosfurnizimi me ujë nuk është opsion, mirëpo izolimi ka sjell disa zhvillime që nuk i kemi paraparë. Kush ka menduar që do të vjen një kohë kur e gjithë bota do të izolohet? Kjo ka shkaktuar ndërprerje të shumë bizneseve dhe izolim të një pjese të madhe të shoqërisë nëpër shtëpi... Të dyja këto kanë kontribuar që të bie dukshëm arkëtimi. Është me rëndësi që të paguhen shërbimet e ujit, por edhe shërbimet e tjera esenciale (energji, mbeturina...), meqë me këtë sigurojmë mbarëvajtjen e punëve të kompanive që ofrojnë këto shërbime, e mbi të gjitha pagat e punëtorëve. Veç mendoni – bëhet gjithandej thirrje për pastërti, larje të duarve...pra uji del te ketë rol të pazëvendësueshëm në luftimin e këtij virusi. Çdo lëvdatë për stafin mjekësor, por ka edhe heronj të tjerë që po na mundësojnë një jetë normale në këto rrethana. T’u jemi mirënjohës!
Shpresojmë që këtë vit të kemi më shumë reshje, por çfarë ndodh nëse na përsëritet vera e vitit që shkoi, si do të duhet të menaxhohej gjendja e ujit të pijes?
Mbesim me shpresë që të kemi reshje, jo vetëm për të siguruar ujë për pije, por edhe për bujqësinë, florën dhe faunën, për ngopjen e ujërave nëntokësore dhe liqeneve artificiale... Me thatësi a pa të, është me rëndësi që ne si qytetarë ta kursejmë ujin, t’i eliminojmë prishjet në objektet tona, etj. Në anën tjetër, qeveria duhet me urgjencë që të planifikojë dhe të fillojë ndërtimin e digave të reja, sidomos për rajonin e Gjilanit dhe Ferizajt, ndërsa ujësjellësit të zvogëlojnë humbjet teknike dhe ato administrative./Motilokal.com
