Kurti: Le të mos ja japim Virusit Corona këmbët tona që më pas të na i marrë jetët tona

Kurti: Le të mos ja japim Virusit Corona këmbët tona që më pas të na i marrë jetët tona

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë mbajtur konferencë për media, në të cilën kanë njoftuar për masat që do të ndërmerren nëpër komunat e Republikës së Kosovës, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetues.  

“Gjykata në asnjë moment nuk e ka kontestuar legjitimitetin e masave që i kemi ndërmarrë për të parandaluar shpërndarjen më të madhe të virusit COVID-19, por vetëm ka konstatuar se të njëjtat duhet të merren nga Ministria e Shëndetësisë, dhe jo për krejt territorin e Kosovës, por për komuna veç e veç”, tha kryeministri në detyrë Kurti, duke theksuar se jemi të përkushtuar për të respektuar këtë vendim në tërësinë e tij dhe si rezultat i kësaj, prej sonte marrja e vendimeve do të bëhet direkt prej Ministrisë së Shëndetësisë në konsultim me komunat respektive dhe ministritë e linjës të përfshira në këtë proces.

Kryeministri në detyrë Kurti u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës pa dallim etnie, partie, komune, rajoni, prejardhje, moshe, gjinie që të jemi bashkë sepse Virusi Corona nuk bën dallime tek ne sipas asnjë tipari.

“Le të mos ja japim Virusit Corona këmbët tona që më pas ky virus të na i marrë mushkëritë tona, të na e marrë frymën, të na e marrë jetën. Prandaj duhet ta përsërisim atë që kurrë nuk mund ta përsërisim mjaftueshëm. Qëndroni në shtëpi. Ruani higjienën personale. Dhe mbajeni distancën fizike ndaj njëri- tjetrit. Duke mbrojtur vetën e mbrojmë njëri- tjetrin dhe shpëtojmë të gjithë!”, u shpreh kryeministri në detyrë Kurti./Motilokal.com