Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), në një njoftim për media ka bërë të ditur se ka ndërruar jetë edhe viktima e pestë nga koronavirusi.
Në njoftimin e IKSHPK-së thuhet se nga data 08 shkurt deri më 07 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.352 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 184 me 5 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese (rasti i fundit nga Klinika Infektive me sëmundje shoqëruese infiltrim pulmonar, diabet tip 2, nefropati diabetike, tumor i gjëndrrës mbiveshkore të majtë, hipertension arterial dhe obezitet).
IKSHPK njofton se në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 3.589 kontakte të rasteve.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 7 prill 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 1.418.925 raste të COVID-19 dhe 81.507 raste të vdekjes. Numri më madh i rasteve raportohet nga SHBA (391.665), Spanjë (140.617), Italia (135.586), Francë (109.069), Gjermani (107.458), Kina (81.740), Mbretëri të Bashkuar (55.242), Turqi (34.109), Zvicër (22.253), Austria (12.633), Serbi (2.447), Greqi (1.832), Kroaci (1.282), Slloveni (1.059), Maqedoni e veriut (599), Shqipëri (383) dhe Mali i Zi (241)./Motilokal.com
