Infektologu Valbon Krasniqi: Durim edhe pak – gjysma e prillit, vendimtare për fatin e pandemisë në vendin tonë

Infektologu Valbon Krasniqi: Durim edhe pak – gjysma e prillit, vendimtare për fatin e pandemisë në vendin tonë

Infektologu Valbon Krasniqi, përmes një shkrimi ka thënë duke e parë gjendjen e pandemisë COVID-19, qytetarët tanë kanë nevojë edhe për lajme të mira.

Ai ka kërkuar që të mos bëhemi shembull si shtetet tjera, por të bëhemi shembull i vetvetes në luftimin e pandemisë COVID-19, transmeton motilokal.

Shkrimi i tij i plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

Duke parë e lexuar lajme e informata të vazhdueshme për statistikat jo të mira në nivel botëror, evropian e regjional në lidhje me ecurinë e pandemisë COVID-19, mendova se qytetarët tanë kanë nevojë edhe për lajme të mira. Të mos bëhemi shembull si shtetet tjera, pa apostrofuar asnjë, por të bëhemi shembull i vetvetes, të bëhemi shembull i mirë edhe për të tjerët. Këtë mundësi e kemi, andaj ta shfrytëzojmë.

Në mesin e 23 pacientëve të parë të shëruar nga COVID-19 në Klinikën Infektive, 6 nga ta janë tē moshës mbi 60 vjeç, e njëri nga ta i moshës 80 vjeçare. Një fillim i mirë ky, që na frymëzon neve profesionistëve e na bën të besojmë se jemi në rrugë të mirë.

Sidoqoftë, tani më kemi hyrë në javën e katërt që prej se kemi konfirmuar rastet e para në Kosovë, dhe fundi i javës së ardhshme- gjysma e muajit Prill mund të jetë vendimtare për fatin e epidemisë në vendin tonë.

Prandaj të kemi durim edhe pak, të zbatojmë në nivel maksimal kujdesin për higjienën personale e të qëndrojmë në shtëpi.

#Sotnshpi, nesër i shëndetshëm

#Sotnrrugë – nesër n’spital

/Motilokal.com