Fico: 28 raste të reja me COVID-19, shkon në 361 numri i të prekurve në Shqipëri

Fico: 28 raste të reja me COVID-19, shkon në 361 numri i të prekurve në Shqipëri

Dr. Albana Fico, drejtore e Institutit të Shëndetit Publik, në një konferencë për media ka raportuar për gjendjen e fundit mbi koronavirusin në Shqipëri.

Ajo tha se në 24 orët e fundit janë testuar 149 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 28 raste të reja me COVID-19, nga të cilët 1 fëmijë.

Fico theksoi se deri në këto momente janë testuar 2396 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 361 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç.

“Ju informojmë se gjatë mbrëmjes së djeshme afër mesnatës se një 80-vjeçare nga Shkodra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. E moshuara ishte paraqitur mëngjesin e datës 4 Prill në spital”, u shpreh Fico.

Ajo shtoi se 80-vjeçarja u izolua si e dyshuar me COVID dhe i janë bërë të gjitha ekzaminimet e duhura. E moshuara ishte vendosur menjëherë në terapi intensive. Në mbrëmje ka dalë përgjigja e analizave, pozitive me COVID-19. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore transporti ka qenë i pamundur dhe afër mesnatës e moshuara ka ndërruar jetë.

“Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 5 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 104”, deklaroi Fico.

Më tej Fico njoftoi se në shërbimin infektiv aktualisht janë 64 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar.

“Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive, prej të cilëve 2 janë të intubuar, ndërsa 1 pacient ndodhet në pavion. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 71 pacientë”, theksoi Fico.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 174 raste

– Durrës 36 raste

– Lushnjë 5 raste

– Elbasan 10 raste

– Fier 25 raste

– Kavajë 8 raste

– Rrogozhinë 4 raste

– Korçë 16 raste

– Vlorë 5 raste

– Shkodër 38 raste

– Lezhë 14 raste

– Berat 1 rast

– Has 9 raste

– Krujë 5 raste

-Tropojë 4 raste

– Pukë 4 raste

– Mirditë 3 raste

Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër dhe Tiranë tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike.

Aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID-19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID-19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40./Motilokal.com