Shkon në 13 numri i viktimave dhe 243 numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri

Shkon në 13 numri i viktimave dhe 243 numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri

Mira Rakacolli zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në një konferencë për media ka njoftuar për gjendjen aktuale me koronavirus në Shqipëri.

“Në vijim të komunikimit të përditshëm, ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive”, tha Rkacolli.

Ajo theksoi se në 24 orët e fundit janë testuar 112 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 27 raste të reja me COVID-19.

Sipas saj deri në këto momente janë testuar 2031 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 304 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç.

Rakacolli tha se lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 13 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 89.

“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”, u shpreh Rakacolli.

Më tej ajo tha se gjatë orëve të para të mëngjesit janë transportuar në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”, 3 paciente nga spitali Infektiv.

“Aktualisht në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, i cili do të ndjekë rastet e rënda me insufiçencë respiratore covid pozitiv, janë 4 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar). Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 77 pacientë”, deklaroi Rakacolli.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Kavajë, Lezhë, Mirditë dhe Shkodër.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 146 raste

– Durrës 32 raste

– Lushnje 4 raste

– Elbasan 8 raste

– Fier 25 raste

– Kavajë 8 raste

– Rrogozhinë 2 raste

– Korçë 16 raste

– Vlorë 5 raste

– Shkodër 22 raste

– Lezhë 11 raste

– Berat 1 rast

– Has 8 raste

– Krujë 5 raste

-Tropojë 4 raste

– Pukë 4 raste

– Mirditë 3 raste

Siç shihet, nga rastet e reja të 24 orëve të fundit, Shkodra ka numrin më të lartë me 12 raste. Këto raste janë identifikuar në dy rrethe familjare, mes tyre është dhe një fëmijë 13-vjeçar, që janë identifikuar falë gjurmimit të rasteve të kryera nga epidemiologët ne terren.

“Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike”, u shpreh ajo.

Rakacolli njoftoi se aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19./Motilokal.com