Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik të Shqipërisë, ka njoftuar për situatën aktuale rreth koronavirusit në vend.
Ajo deklaroi se ka ndërruar jetë një 78-vjeçar nga Durrësi, duke u bërë viktima e 16-të në Shqipëri. Ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 9 pacientë, që çon numrin në 76 të shëruarve.
Daja theksoi se në 24 orët e fundit janë testuar 96 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 18 raste të reja me COVID-19.
“Deri në këto momente janë testuar 1919 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 277 raste, nga të cilët vetëm 8 janë fëmijë. Mosha mesatare e rasteve pozitve me COVID-19 është 50 vjeç”, u shpreh ajo.
Më tej ajo theksoi se sot janë testuar edhe 9 personel shëndetësor të cilët kanë rezultuar negativë.
“Epidemiologët në çdo njësi vendore të kujdesit shëndetësor nga veriu në jug, janë në terren dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të identifikuar në kohë kontaktet, pas verifikimit të rasteve të dyshuara”, deklaroi Daja.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 81 të shtruar. 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi 1 pacient të shtruar.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë, Has, Elbasan, Shkodër dhe Pukë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 143 raste
– Durrës 30 raste
– Lushnjë 4 raste
– Elbasan 8 raste
– Fier 23 raste
– Kavajë 6 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Korçë 16 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 10 raste
– Lezhë 6 raste
– Berat 1 rast
– Has 8 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 4 raste
– Mirditë 2 raste
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.
Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të telefonojnë në numrin 0800 40 40 për përfitimin e barnave me rimbursim dhe cdo pyetje për COVID-19 ndërsa në numrin e urgjencës kombëtare 127 duhet të telefonojnë nëse dyshojnë se kanë shenja të COVID-19./Motilokal.com
