Vitia: Në Klinikën Infektive janë 36 persona të infektuar me COVID-19, pesë prej tyre në gjendje të rëndë

Vitia: Në Klinikën Infektive janë 36 persona të infektuar me COVID-19, pesë prej tyre në gjendje të rëndë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një paraqitje për media ka deklaruar se për momentin janë 36 persona të infektuar me COVID-19, po trajtohen në Klinikën Infektive ku pesë prej tyre janë në gjendje më të rëndë.

Vitia po ashtu foli edhe për ndryshimin e orarit të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve ku, porositi distancën të cilën duhet mbajtur nga njëri-tjetri.

Deklarata e plotë e ministrit Vitia:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Dëshirojmë të shprehim falënderimin tonë për angazhimin tuaj të deritanishëm në zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës për menaxhimin e situatës epidemiologjike rreth Korona virusit Covid-19.

Deri tani, sipas të dhënave të IKSHP-së, në Kosovë janë kryer 1037 testime në mostra të dyshimta për Covid -19, prej të cilave 91 raste kanë rezultuar pozitive, një pacient ka vdekur dhe një tjetër është shëruar dhe është lëshuar në shtëpi.

Sipas të dhënave të Klinikës Infektive të QKUK-së, sot aty ka pasur 36 pacientë të hospitalizuar që po trajtohen për Covid-19, prej të cilëve, 36 prej tyre rezultojnë me gjendje shëndetësore stabile, ndërsa 5 të tjerë rezultojnë të kenë gjendje më të rënduar shëndetësore dhe janë me tretman mjekësor me oksigjenoterapi.

E keni parasysh, kur flasim për shifrat e të testuarve dhe të sëmurëve nga Covid-19, ato ndryshojnë çdo ditë në këtë fazë të epidemisë në vend.

Siç jeni të informuar, Qeveria e Kosovës ditë më parë ka ndërmarrë masën e përkufizimit të lëvizjes së qytetarëve nga ora 10:00 -16:00 dhe nga ora 20:00 - 06:00 të mëngjesit
Por, pas analizimit të efekteve të kësaj mase dhe kërkesave të qytetarëve dhe subjekteve të caktuara që të shkohet me masa të tjera edhe më efektive, Qeveria, me vendimin Nr.02/17 të datës 27. 03. 2020, ka vendosur që koha e lëvizjes për qytetarët të kufizohet nga ora 17:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

Mirëpo, kërkojmë që koha e lejuar për qarkullim të mos kuptohet si një hapësire për t’u grumbulluar dhe rrezikuar shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës, por të respektojmë edhe pikën 3 të vendimit paraprak që mbetet në fuqi sipas të cilit: “Lëvizjet në rrugë të bëhen jo më shumë se dy persona dhe gjithmonë duke mbajtur distancën 2 metra me të tjerët” .
Kjo vlen edhe për bizneset si supermarketet dhe subjekte të tjera, të cilat janë të obliguara që t’i marrin të gjitha masat për t’i zbatuar këto vendime.

Masat e ndërmarra deri tash kanë pasur efekte pozitive në ruajtjen e shëndetit publik të popullatës sonë, por tash kur po hyjmë në një fazë të re të epidemisë dhe ku mund të presim edhe më shumë raste të reja, kemi nevojë për më shumë disiplinë, më shumë angazhim dhe më shumë përkrahje për masat e reja, të cilat ndonëse nuk i dëshirojmë, mund të jemi të detyruar t’i ndërmarrim me qëllim që ta përforcojnë luftën tonë kundër Koronavirusit dhe t’i ruajmë jetët e qytetarëve tanë.
Gjithashtu, mosrespektimi i masave të deritanishme nga personat fizik dhe juridik, përkundër dëshirës sonë, do të pasojë me shqiptim të gjobave dhe sanksioneve konform legjislacionit në fuqi dhe sidomos Ligjit për parandalimin e Sëmundjeve Infektive.

Në anën tjetër, Ministria ka vazhduar angazhimet në përforcimin e kapaciteteve për diagnostikimin dhe trajtimin e të prekurve nga Covid-19.

Testet e reja kanë mbërritur në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike për RT-PCR dhe në ndërkohë është iniciuar kërkesa për furnizimin edhe me dhjetë mijë teste të tjera. Kjo do të shtoj edhe numrin e testimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, të cilët pa ndërprerje, 24 orë në ditë po vazhdojnë gjurmimin, testimin dhe monitorimin e situatës epidemiologjike.
Po vazhdojnë donacionet dhe ndihma të ndryshme nga organizata, shtete mike, por edhe individë dhe biznese brenda dhe jashtë vendit.

Rreth 300 vullnetarë janë regjistruar dhe aktualisht janë në krye të detyrës duke i dalë në ndihmë qytetarëve dhe personelit shëndetësor.

Por, përsëri për të satën herë ju bëjmë thirrje në angazhimin dhe bashkëpunimin e juaj në këtë situatë. Kjo është më e rëndësishme se çdo masë tjetër. Përveç respektimit të masave të sipërpërmendura, ju lutemi që të shmangni edhe vizitat familjare dhe forma të tjera të grumbullimit brenda familjeve tuaja. Ruajeni shëndetin e juaj por edhe të familjarëve tuaj. Kjo situatë do të kaloj shumë më shpejtë me bashkëpunimin tuaj. Ju lutemi që të keni durimin këto javë shumë të rëndësishme për shëndetin publik dhe shtetin tonë.

Dëshiroj edhe njëherë që bashkërisht të ndihmojmë dhe ti japim mirënjohjen e merituar personelit shëndetësor, i cili me vetëmohim po vazhdon të bëjë ballë kësaj situate me angazhim dhe përkushtim maksimal. Të ju qëndrojmë afër duke qëndruar në shtëpitë tona. Të ju ndihmojmë duke mos dalë pa nevojë jashtë shtëpive tona. Ndihma që ata po kërkojnë është që ne të ju përmbahemi këshillave të tyre.

Prandaj, po e përsërisim:

Qëndroni në shtëpi.

Ndiqni rekomandimet e MSh-së dhe IKShP-së.

Bashkë do t’ia dalim!/Motilokal.com