Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), në një komunikatë për media ka konfirmuar edhe një rast me koronavirus në Kosovë.
“Sot me 28.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar (8) mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, një prej tyre ka rezultuar pozitiv”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Sipas IKSHPK-së rasti pozitiv është rast kontakti, me vendbanim në Prishtinë.
“Nga data 08.02.2020 deri me 28.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.037 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej nëntëdhjetë e një (91) raste me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç”, thekson IKSHPK.
IKSHPK njofton se në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 1.917 kontakte të rasteve./Motilokal.com
