Kurti thirrje qytetarëve: Ta kalojmë këtë situatë me virusin COVID-19, bashkërisht, duke qëndruar në shtëpi

Kurti thirrje qytetarëve: Ta kalojmë këtë situatë me virusin COVID-19, bashkërisht, duke qëndruar në shtëpi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media lidhur zhvillimet që kanë të bëjnë rreth përhapjes së virusit COVID-19, por edhe masat që vazhdimisht janë duke i ndërmarrë që të ndalohet përhapja e Corona Virusit në vendin tonë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta frenojnë përhapjen e virusit COVID-19 dhe ta mbajnë në funksion të plotë sistemin tonë shëndetësor.

“Shëndeti publik është i publikut. I gjithë publiku, secili prej neve, duhet të kujdeset për vetën dhe për të tjerët. Prandaj rri i pastër, rri në distancë, rri në shtëpi”, theksoi kryeministri Kurti në konferencën para medieve.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se po mundohen dhe do të bëjnë krejt çka është në dorën e tyre që këtë situatë ta menaxhojnë me korrektësinë më të madhe, derisa informoi se përtej masave që kanë ndërmarrë deri tani, për momentin në Kosovë janë 142 respiratorë: 95 në sektorin publik dhe 47 në atë privat, dhe me qëllim që t’i forcojnë këto kapacitete kanë porositur blerjen e 50 respiratorëve të ri dhe gjithashtu po presin që të porosisin edhe një kontingjent tjetër./Motilokal.com