Ministri Abdixhiku: Secili i kthyer në Kosovë do të vendoset për 14 ditë në karantinë

Ministri Abdixhiku: Secili i kthyer në Kosovë do të vendoset për 14 ditë në karantinë

Në një konferencë për media ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, tha se  secili i kthyer në Kosovë, do të vendoset për 14 ditë në këtë qendër.

“Të gjithë udhëtarët e kthyer nga Aeroporti për në karantinë transportohen me mjete ushtarake të Ushtrisë së Kosovës. Karantina menaxhohet nga Ministria”, u shpreh Abixhiku.

Fjalimi i plotë i ministrit Abdixhiku:

Në zbatim të vendimit të Qeverisë të datës 17 mars 2020, kemi nisur organizimin e kontrolluar dhe me shumë kujdes të kthimit të qytetarëve tanë nga vendet e huaja. Ne kemi bërë thirrje fillimisht që çdo qytetar i yni që nuk ka urgjencë dhe që mund të qëndrojë e zgjas qëndrimin në vendet evropianë dhe më gjerë, të mos marr rrugën e kthimit për në Kosovë.

Ambasadat tona nëpër botë vazhdojnë të ndihmojnë në zgjatjen e të drejtës së qëndrimit nëpër vendet evropiane.

Gjithsesi, secili tjetër në urgjencë kthimi, do të marr ndihmën e nevojshme shtetërore për të bërë një gjë të tillë.

Deri më tani janë evidentuar 834 qytetarë që duhet të kthehen në Kosovë. Ne jemi duke dhënë leje për udhëtime me ta.

Ministria e Shëndetësisë dhe kjo ka rëndësi për qytetarët që do të kthehen, ka shndërruar Qendrën e Studentëve në Prishtinë, në qendër karantinimi. Secili i kthyer në Kosovë, do të vendoset për 14 ditë në këtë qendër.

Të gjithë udhëtarët e kthyer nga Aeroporti për në karantinë transportohen me mjete ushtarake të Ushtrisë së Kosovës. Karantina menaxhohet nga Ministria.

Dje kemi kthyer ekipin e boksit dhe sot kemi kthyer 39 qytetarë nga Stambolli Nesër presim të kthejmë rreth 180 qytetarë nga Gjermania, dhe secili prej tyre, me përcjellje strikte do të vendoset në karantinë për 14 ditë.

Dua t’i siguroj qytetarët tanë se kthimi i kontrolluar dhe i menaxhuar mirë dhe i organizuar ruan shëndetin publik dhe në të njëjtën kohë i jep të drejtën elementare shtetasve të Kosovës që të kthehen në vendlindje./Motilokal.com