Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media ka njoftuar se sot janë testuar gjithsej 335 mostra të dyshimta në Covid-19 dhe gjithsej 20 prej tyre kanë rezultuar pozitive (+).
Ai theksoi se janë porositur 7000 teste shtesë dhe dy lloje të barnave që, sipas tij, kanë rezultuar si ndihmuese për të prekurit nga virusi Covid-19.
Fjalimi i plotë i ministrit Vitia:
Dëshirojmë të ju falënderojmë sërish për angazhimin tuaj vetëmohues për ta informuar popullatën lidhur me zbatimin e masave që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për menaxhimin e rasteve me Koronavirus Covid-19 dhe situatës epidemiologjike në tërësi pas shpalljes së gjendjes emergjente të shëndetësisë publike.
Ju informojmë se përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, deri sot janë testuar gjithsej 335 mostra të dyshimta në Covid-19 dhe gjithsej 20 prej tyre kanë rezultuar pozitive (+).
Janë edhe rreth 1000 teste në stokun e Mikrobiologjisë molekulare në IKSHPK dhe pardje, me urgjencë janë porositur edhe 7000 të tjera, të cilat do të vijnë në fillim të javës që vjen.
Kemi siguruar edhe një aparat tjetër për realizimin e RT-PCR testeve, i cili pritet të vihet në funksion nesër.
Informatat nga Klinika Infektive e QKUK-së janë se gjendja e të prekurve që po trajtohen aty (13 pacientë) është stabile dhe me përjashtim të njërit prej pacientëve, më të moshuarit, që kohë pas kohe, po asistohet me oksigjeno terapi, por jo në gjendje të rëndë , kurse pacientët e tjerë janë duke marrë një trajtim mjekësor mbështetës dhe janë në gjendje stabile.
Dy (2) prej të hosipitalizuarve, siç e dini, ditë më parë janë liruar në shtëpi, në gjendje stabile shëndetësore dhe do të qëndrojnë në vetkarantinë.
Janë kontaktuar edhe Ambasada të ndryshme për të na ndihmuar me pajisje dhe materiale shtesë dhe shumë shpejt po presim që disa nga to të na përgjigje pozitivisht.
Pasi si sëmundje e re Covid-19 akoma nuk ka një protokoll të trajtimit me antiviral, dje dhe sot kemi marrë informacione se disa nga antiviralët si Remdesivir dhe Favipiravir janë treguar të suksesshëm në trajtimin e të infektuarve.
Menjëherë sot janë kontaktuar kompanitë prodhuese, por edhe Ambasada siç është ajo e Japonisë dhe po shpresojmë që një kontingjent i këtyre barnave t’i marrim me kohë.
Ka filluar shpërndarja e kontingjentit të parë të furnizimeve pas përfundimit të procedurave prej 400 000 eurove të ndara më herët nga Qeveria, me prioritet komunat ku janë ndaluar hyrje-daljet si Vitia, Klina, Malisheva dhe Malisheva.
Kjo do të vazhdoj edhe në komunat e tjera, ku ka nevojë dhe mungesa të materialeve mbrojtëse.
Është për t’u përshëndetur se tanimë shumë biznese duke përfshirë edhe super-markete kanë ofruar dhe po vazhdojnë të ofrojnë ndihma, qofshin ato për materiale dezinfektuese, pako ushqimore dhe higjienike;
Në takimin e djeshëm me Spitalet private në Republikën e Kosovës, pa përjashtim, të gjitha spitalet kanë ofruar të gjithë kapacitetin e tyre në rast nevoje.
Fatmirësisht, deri tani, kjo nuk është e nevojshme pasi në sektorin publik janë duke u marrë masa dhe në një kohë shumë të shkurtër, në territorin e Kosovës do të jenë të gatshëm mbi 500 shtretër për të sëmurët eventualë dhe në rast nevoje, ky numër edhe mund të dyfishohet.
Sot, gjatë ditës, kemi rënë në kontakt dhe shumë shpejt pritet të sigurohen edhe kontigjenti i parë i respiratorëve shtesë, i cili do të pasohet edhe me respiratorë të tjerë në fazat e mëtutjeshme.
Për momentin, siç jeni të informuar, në sektorin publik dhe privat në Republikën e Kosovës janë mbi 130 respiratorë, të cilët për fat të mirë, asnjëri nuk ka pasur akoma nevojë të përdoret për të prekurit me Covid-19.
Janë duke u zhvilluar edhe shumë e shumë veprime të tjera, me qëllim që qytetarëve t’u ofrojmë ndihmën e duhur për të parandaluar përhapjen e virusit dhe menaxhimin sa të mirë të situatës me Covid-19.
Ju them se të gjitha masat e ndërmarra deri më tani janë koordinuar me Zyrën e OBSh-së në Kosovë, por jo vetëm dhe kanë marrë parasysh dhe rekomandimet e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse (ECDC) dhe ashtu do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Më lejoni të ju informoj se bazuar në vendimin e Qeverisë me numër 01-11 të datës 15. 03. 2020 për shpalljen e emergjencës për shëndetin publik, pika 2 thotë: Obligohen institucionet e Qeverisë së Kosovës, të veprojnë konform Planit të Reagimit Kombëtar.
Sot, do të hyjë në fuqi aktivizimi i këtij Plani.
Më lejoni të shpreh një mirënjohje të veçantë për angazhimin e madh të punonjësve shëndetësore në trajtimin e të prekurve me koronavirus dhe në hulumtimin e rasteve të kontakteve.
Ju them se brenda mekanizmave për menaxhimin e situatës është një angazhim i madh i të gjitha ministrive, organizatave dhe pushtetit lokal për t’u ballafaquar në mënyrë sa më efikase me situatën.
Në këtë veprime, ne kërkojmë ndihmën tuaj qytetarë të dashur, sepse jemi në momentet vendimtare për ta menaxhuar drejt situatën.
Prandaj, sikurse edhe ditët e kaluara, ne do të vazhdojmë të komunikojmë me ju përmes mediave që të ju kërkojmë sërish, për hir të shëndetit tuaj, të shëndetit tonë, të shëndetit të njëri- tjetrit, që t’i zbatoni masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.
Nuk është e tepërt t’ua përkujtoj se ndaj atyre që nuk i zbatojnë ato, konform gjendjes emergjente të shëndetit publik të shpallur nga Qeveria, do të ndërmerren masa adekuate.
E kemi thënë dhe po e përsërisim edhe sot: Nuk duam, nuk guxojmë dhe nuk do të lejojmë që neglizhenca e kujtdo qoftë t’i kushtojë krejt popullatës së Kosovës.
Edhe një herë:
· Në këtë situatë ndihma e juaj është e domosdoshme.
· Deri tani keni treguar një kulturë të lartë të vetdijësimit dhe solidaritetit,
· Prandaj, ju ftojmë edhe një herë të jeni bashkë me ne në krye të detyrës, duke ruajtur shëndetin tonë, shëndetin e njëri-tjetrit.
· Mbani distancë nga njëri-tjetri.
· Reduktoni daljet veç në raste emergjente.
· Pastroni duart mirë dhe shpesh me sapun dhe dezinfektues me bazë alkooli;
Ndiqni rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe institucionet e tjera.
Ne do të ju mbajmë vazhdimisht të informuar për situatën dhe masat e ndërmarra dhe bashkërisht do ta kalojmë këtë sfidë.
Jemi një!
Bashkë për Shëndetin, bashkë do të ja dalim!/Motilokal.com
