Nga vija e parë e frontit kundër koronavirusit, flet Dr. Nderim Hasani: ‘Nuk ka vend për panik, kujdesuni më shumë për higjienën personale’

Nga vija e parë e frontit kundër koronavirusit, flet Dr. Nderim Hasani: ‘Nuk ka vend për panik, kujdesuni më shumë për higjienën personale’

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 16 raste me koronavirus, gjendja e të cilëve është stabile përveç 77-vjeçarit që është pak më e rënduar.

Pas konfirmimit të këtyre rasteve ka filluar të ketë panik tek qytetarët. Rrugët dhe sheshet janë boshatisur pas mbylljeve të kafiterive, restoranteve dhe qendrave tregtare.

Për të kuptuar rreth këtij virusi se a duhet të ketë vend për panik dhe si duhet të sillemi, portali motilokal.com zhvilloi një bisedë me infektologun Dr. Nderim Hasani, i cili qëndron në vijën e parë të frontit, duke u kujdesur për pacientët e prekur me koronavirus.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Dr. Hasani, si duket ka filluar të rritet numri i të prekurve me koronavirus në Kosovë. A ka vend për panik dhe pse?

Përkundërtendencës së shtimit të rasteve të prekura nga infeksioni me COVID-19, NUK KA VEND PËR PANIK, por gjithsecili nga ne (i gjithë populli), duhet të ndërmarrim masat e kujdesit të shtuar nëmënyrënrespektivisht sjelljen tonë, në raport me mundësin e parandalimit apo mbrojtjes nga infektimi i mundshëm.


Cilat janë simptomat e një personi të infektuar me koronavirus dhe në cilën fazë fillojnë?

Pas kohës së inkubacionit (periudhës nga kontakti me virusin deri te paraqitja e simptomave të para të sëmundjes), e cila mund të ndryshojë nga 2 deri në 14 ditë (edhe pse janë raportuar raste edhe deri në 27 dhe 28 ditë kohë inkubacioni), mund të fillojnë simptomat e para, dhe ndër to e para që vërehet dhe më e shpeshta është gjendja e temperaturës së ngritur trupore, e përcjellë pastaj edhe me kollë të thatë, intoksikim të përgjithshëm (si p.sh. lodhje dhe plogështi). Fatmirësisht, në pjesën dërmuese të rasteve këto simptoma janë të përballueshme, madje shpeshherë paraqitet pasqyrë klinike dukshëm edhe më e lehtë.

Sa është i rrezikshëm koronavirusi tek fëmijët dhe të moshuarit?

Te fëmijët,për fat të mirë, gjendja paraqitet tejet stabile, si për nga numri i rasteve të prekura, të pakta minimalisht në numër (në nivel botëror), por edhe sa i përket pasqyrës së lehtë  klinike të paraqitjes (apo thënë ndryshe klinikës së sëmundjes).Ndërsa tek moshat e treta, apo tek të moshuarit, situata duket të jetë më e rënduar. Fatkeqësisht, kjo është edhe e pritur, duke pasur parasysh edhe sëmundjet shoqëruese kronike të tjera të kësaj moshe. Mirëpo rrezikshmëri pritet të ketë (ashtu siç është edhe në nivele botërore) edhe tek një kategori tjetër e popullatës, tek ata që në terminologjinë mjekësore quhen persona me imunitet të kompromituar (pra, personat që për ndonjë arsye apo problem shëndetësor kanë rënie të imunitetit, apo forcave mbrojtëse të organizmit).

Dr. Hasani, cilat janë masat që duhet t’i ndërmarrim për të parandaluar infeksionin?

Masat parandaluese personale që duhet t’i ndërmarrin tëgjithë, tashmëjanë publikuar mjaft shumë,madje edhe shumë shpesh po përsëriten. Mjafton t’i përcjellim rekomandimet e OBSH-së dhe IKSHPK-së të cilat janë mjaftë të qarta.

Do t’i përmendi disa nga këto masa që ndoshta duken të thjeshta, por që kanë shumë rëndësi dhe po japin rezultate në parandalim. 1. Qëndrimi në shtëpi. 2. Mbajtja e distancës nga 1 deri në 2 metra mes personave në ambiente të caktuara. 3. Teshtimat apo kolla të bëhet në këndin e bërrylit apo më mirë në faculeta letre. 4. Mbajtja e maskave sidomos për ata persona që paraqesin shenja të dyshimta. 5. Vëmendje në të ushqyerit e rregullt dhe sa më shumë vitamina,përdorimi i çajrave, përdorimi i vitaminës C, etj. 6. Ajrosje dhe higjienë e vendit të banimit, e edhe të tjera masa të cilat mund t’i identifikojmë dhe ndërmarrim vetë si masa parandaluese.

Si ta forcojmë imunitetin ndaj këtij virusi dhe sa luan rol ushqimi i mirë kundër tij?

Roli i ushqimit, siç thamë edhe me herët është ndër me vendimtarët për të pasur imunitet të plotë. Pra, sa me shumë ushqime të shëndetshme, bio-organike dhe ushqime që përmbajnë vitamina. Ndërsa në këtë kohë gripi pandemik rekomandohet përveç tjerash edhe përdorimi i sasive të shtuara të vitaminave C dhe D.

Nga ajo që flitet nuk ka trajtim, në këtë rast cilat janë barnat që guxojmë t'i përdorim?

Për gjendjet e lehta gripale dhe ato mesatarisht të lehta nuk ka nevojë të ndërmerret asgjë më tepër sesa: vetizolimi (për të parandaluar përhapjen tek të tjerët) dhe përdorimi i terapisë simptomatike që nënkupton marrjen e analgoantipiretikëve apo barnave kundër temperaturës dhe dhembjes që në këtë rast më i miri që rekomandohet është Paracetamoli. Përdorimi i vitaminës C dhe çajrave do të ndihmonin mjaftueshëm. Ndalohet rreptësisht përdorimi i antibiotikëve.

Ndërsa për rastet me gjendje shëndetësore të rënduar mjeku familjar në radhë të parë, sipas indikacioneve do të vendos apo edhe do të rekomandojë për trajtimin e mëtejmë.

Dr. Hasani, për fund disa këshilla në përgjithësi si duhet të kujdesemi për shëndetin tonë?

Qëndroni në shtëpi, kërkoni ndihmën e mjekut atëherë kur vërtet e keni të nevojshme si dhe silluni në bazë të rekomandimeve që ju jepen nga personat dhe organizatat kompetente./Motilokal.com