Ndërsa numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri u pesëfishua brenda 24 orëve, pasojat kanë nisur të ndihen në jetën e përditshme. Përveç shkollave të mbyllura, për të paktën dy javë, janë shtuar njerëzit që përdorin maska në rrugë, dyqane dhe autobusë.
Qytetarë të shumtë janë parë nëpër supermarkete, për të marrë ushqime dhe materiale të tjera për shtëpinë. Në furrat e bukës, shitësit kanë filluar të mbajnë maska, doreza, madje edhe qese plasmasi në banak, për të minimizuar kontaktin me klientët.
Për shkak të mundësisë së përhapjes Instituti i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje për respektimin e masave të higjienës, mbajtjen e distancës 1 metër nga njëri-tjetri pasi virusi transmetohet përmes stërkalave si dhe dezinfektimin e sipërfaqeve të ambienteve ku punoni e jetoni./Motilokal.com
Fotot: LSA

