Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një konferencë për media ka deklaruar se autoritetet shqiptare kanë vendosur për ndërprerjen e udhëtimeve detare dhe ajrore me Italinë, vend ky i cili renditet i dyti në botë pas Kinës për numrin e personave të prekur me koronavirus.
“Të gjitha aeroportet italiane që kishin mbetur të hapura, si Bari dhe Roma nuk do të jenë më të aksesueshme. Avioni i fundit i Alitalias është ulur në 10:30 me 64 pasagjerë, të cilët janë regjistruar nga grupet e shëndetësisë. U kërkohet autokarantinimi. Avioni tjetër drejt Romës është nisur në 11:40. Këtu ndërpriten të gjitha fluturimet", është shprehur Balluku.
Sipas ministres, nëse Italia kërkon që të tërheqë personat me nënshtetësi italiane apo nënshtetësi të tjera nga Shqipëria, duhet që më parë shteti fqinj të dërgojë avionë dhe tragete bosh. Në planin e masave drastike që ka ndërmarrë qeveria shqiptare bën përjashtim vetëm transporti i mallrave nga Shqipëria drejt Italisë dhe anasjelltas.
Sipas Ballukut, avionët dhe anijet të cilat transportojnë mallra do të lejohen në sensin Shqipëri-Itali dhe anasjelltas, ndërsa për personelin e këtyre avionëve, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se do të jenë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë në Rinas, Durrës apo Vlorë.
Pezullimi udhëtimeve vjen menjëherë pasi kryeministri vendit fqinj, Gussepe Conte, vendosi të shpallte si “zonë të kuqe” të gjithë Italinë. Ai theksoi se kjo masë është drastike, por njëherësh e domosdoshme për të luftuar shpërhapjen e mëtejshme të virusit Covid-19./Motilokal.com
