Rastet e të prekurve nga koronavirusi në Itali kanë shkuar në mbi 1800, ku 52 persona kanë humbur jetën ndërsa të shëruar janë 149.
Të dhënat e fundit janë bërë publike nga Mbrojtja Civile në Itali si dhe Instituti i Lartë i Shëndetësisë. Ndërkohë në lidhje me përhapjen e shpejtë të koronavirusit së fundmi ka reaguar edhe Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) të cilët thonë se ditët në vijim do të tregojnë nëse masat e parandalimit janë efikase apo jo.
OBSH bën të ditur se ditët e ardhshme do të jenë të rëndësishme për të kuptuar nëse masat janë në gjendje të ndalojnë infeksionin.
Më tej OBSH thekson se kjo “nuk është një pandemi, por një epidemi dhe ajo mund të përmbahet”.
Edhe specialisti i sëmundjeve infektive në Itali, Massimo Galli tha se ditët e ardhshme do të jenë vendimtare, duke theksuar se ka shumë pak shpresë për mbylljen e shpejtë të situatës së krijuar.
Komisioneri Angelo Borrelli tha se nëse të dielën rritja e pacientëve ishte 50%, të hënën ajo ndaloi në vetëm 16%, me 258 raste të tjera. Për më tepër, nga këto, 50% janë asimptomatike (ose me simptoma të buta) dhe në izolimin në shtëpi, 40% janë shtruar në spital me simptoma dhe vetëm 10% në kujdes intensiv./Motilokal.com
