Pas përhapjes se koronavirusit dhe rritjes së numrit të të prekurve me këtë virus në Itali, ka reaguar edhe Ambasada e Shqipërisë në këtë shtet.
Në njoftimin e saj thuhet se Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali, dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe në Bari po ndjekin me vëmendje situatën e emergjencës së krijuar nga përhapja e koronavirusit Covid19 në disa rajone të Italisë.
“Deri tani nuk kemi informacion për qytetarë shqiptarë të prekur. Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar në bazë të normativës europiane për mbrojtjen e të dhënave personale”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Më tej në reagim thuhet: “Ambasada e Shqipërisë në Itali së bashku me MEPJ dhe Ministrinë tonë të Shëndetësisë, janë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë italiane dhe Departamentin e Mbrojtjes Civile të Këshillit të Ministrave për masat e përbashkëta për parandalimin e përhapjes së virusit në territorin shqiptar.”
Ambasada Shqiptare u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë në Itali dhe atyre që udhëtojnë për dhe nëpër Itali të respektojnë masat e urdhëruara nga autoritetet italiane në situatën e emergjencës.
“Ambasada në Romë dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe Bari vazhdojnë normalisht punën në shërbim të qytetarëve. Informime të mëtejshme do të vijojnë në vartësi të zhvillimit të situatës”, theksohet në reagimin e Ambasadës./Motilokal.com
