Fshati Bogë joshës në të gjitha stinët

Fshati Bogë joshës në të gjitha stinët

I ndodhur mes maleve të Rugovës, fshati Bogë është një prej vendeve më të bukura që ka Kosova për ta shijuar stinën e dimrit, borën por edhe stinët tjera. Boga të jep një ndjenjë më miqësore dhe pothuajse të gjitha objektet e kësaj qendre janë të vendosura në një vend të përbashkët. Ajo gjithashtu ofron një shtrirje afër teleferikëve, të cilët gjenden afër shtëpive të bukura prej druri, për të kaluar një fundjavë të paharrueshme.

Në fshat ndodhet një pistë skijimi me parametra bashkëkohorë, ku mund të argëtohen edhe fillestarët në këtë lloj sporti. Këtu është bërë një punë e mirë për thithjen e turizmit dimëror nëpërmjet rrugëve të komunikimit dhe akomodimit.

Ky vend është ndër më të vizituarit edhe në stinët tjera, kurse lartësia mbidetare është 1500 metra. Klima, malet, atmosfera dhe ambienti që të rrethon në Bogë janë të mrekullueshme, andaj nuk duhet humbur rasti assesi.

Rugova është regjioni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si “Alpet Shqiptare”. Në vitin 2013 u shpall Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Zhvillimi i asaj zone shihet me rrugë të mira, me shtëpiza që janë të ndërtuara me dru të pishës, por disa edhe si kulla tradicionale.

Në këtë rajon ka ende shumë për t’u bërë pasi është një ndër vendet me të vizituara si nga vendorët ashtu edhe nga ndërkombëtarët e së fundi shihen edhe shumë turistë nga Shqipëria.

Bjeshkët e Rugovës janë të përshtatshëm për alpinizëm, bjeshkatari, skitari, ngjitje në shkëmbinj, lëshim me parashuta, piknik me familje etj. Sipas Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS) me qendrën në Lucern, Rugova radhitet si qendra e katërt kryesore për sporte dimërore.

Rugova është e pasur me shpella, ujëvara, liqene glaciale, maja të larta, tunele etj. Maja më e lartë është Hajla (2403 metra lartësi mbi detare), rëndësi të veçantë paraqet edhe Qafa e Qyqes nga e cila mund të shihet qyteti i Pejës.

Motilokal.com qëndroi në këtë fshat dhe fshatrat përreth duke ju sjell pamje magjepsëse të Bjeshkëve të Rugovës./Motilokal.com