Në Ditën Ndërkombëtare të Guidave, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u takua me përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të guidave turistike, me të cilët ndau ambicien për ta kthyer turizmin në një pjesë të qenësishme të ekonomisë së Tiranës.
“Në Tiranë kemi pasur një rritje të turizmit me 35 për qind. Vjet ishte viti i parë kur patëm më shumë turistë që vizituan Tiranën sesa banorë. Thyerja e këtij rekordi na bën jashtëzakonisht optimistë. Tirana sot renditet në një nga qytetet kryesore për “city break”, pra një pushim qytetas, jo plazhi, jo mali, pra jo të një jete rurale, por të një 3-ditëshi, që ndryshe quhet edhe si fundjavë e gjatë. Një nga gjërat që duam të bëjmë për të ndihmuar guidat është shtimi i ‘menusë’, ndaj në këto 5 vite jemi përpjekur të shtojmë pikat turistike”, tha Veliaj.
Më tej kryetari i Tiranës tha se secili duhet ta ketë mision të jetë një zëdhënës i mirë i vendit të tij sepse në këtë mënyrë ndihmon edhe ekonominë.
“Secili prej nesh ka mision të jetë një zëdhënës i mirë i vendit. Nuk është një vend i lehtë, është i vështirë, ndaj për të gjithë ata që sot thonë ‘Na mbyti betoni’, u them: Dakord, kthehu nga ke ardhur dhe liroje shtëpinë tënde për dikë që do të vijë në Tiranë, ose bëj atë që thua! Na mbytën kullat?! Mirë, dil vullnetar dhe shko jeto poshtë një ure, liroje hapësirën te kulla jote”, u shpreh Veliaj, duke shtuar se ky qytet është i destinuar të rritet.
Veliaj tha se fatkeqësisht ka njerëz që shajnë Shqipërinë dhe thonë: Ky vend s’bëhet!
“Unë jam një besimtar i fortë se po t’i përveshim mëngët si në këto 5 vjet, nuk do kishim asgjë mangët”, theksoi Veliaj.
Kreu i Kryeqytetit tha se do ta kemi më në fund turizmin si një pjesë të qenësishme të ekonomisë së Tiranës.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe nxënës të shkollës “Dora d’Istria” në kryeqytet, të cilët kanë qenë pjesë e disa tureve të organizuara nga Bashkia e Tiranës për guidat turistike./Motilokal.com
