Kanionet e Osumit vërtetë janë një perlë e natyrës, një destinacion turistik që patjetër duhet vizituar, ku të apasionuarit e aventurave kanë mundësi të zhvillojnë edhe shëtitjet profesionale me rafting, ose hiking.
Kur udhëton në brendësi të tij mahnitesh nga bukuria befasuese, por edhe nga disa përshtypje të çuditshme dhe të pabesueshme që të krijohen: copërat e qiellit së bashku me pjesë të mureve vertikale të gëlqerorëve gri dhe të bimësisë së blertë pasqyrohen në pellgjet e shumta të lumit, duke krijuar kështu një përzierje ngjyrash dhe formash të përmbysura, që me fluiditetin e tyre të hutojnë dhe të zhytin në një botë krejt tjetër, ireale si dhe të ngjallin ndjesi të ëmbla, nga të cilat nuk ke dëshirë të dalësh dhe jo më kot quhet “Koloradoja e Shqipërisë”.

Në disa sektorë të tij, shfaqen ujëvara të mëdha me bukuri befasuese, sidomos në ditët me diell, rrezet e të cilit zbërthehen nga piklat e ujit, duke formuar ylbere, që fillojnë nga qielli, vazhdojnë në shpatet e kanionit dhe më pas pasqyrohen në pellgjet e ujit dhe në shtratin e lumit.
Në këto raste e ke të vështirë të vendosësh kufirin midis tokës dhe qiellit, të shfaqen ndjesi të tjera edhe më të fuqishme, që të ndjekin nga pas edhe kur del prej kanionit. Madje edhe kur je larg tij, ato të ftojnë të kthehesh dhe ta vizitosh përsëri atë. Nga fundi i muajit prill deri në mesin e muajit qershor, në këtë kanion, zhvillohet sezoni i sportit të rafting.
/Motilokal.com
Foto: Arben Llapashtica
