Veturat elektrike mund të shpëtojnë më shumë jetë!

Veturat elektrike mund të shpëtojnë më shumë jetë!

Tranzicioni në automjetet elektrike mund të shpëtojë më shumë se 100,000 jetë në SHBA deri në vitin 2050, sipas një studimi të ri.

Kalimi nga djegia e karburantit fosil në automjetet me emetim zero do të rezultonte gjithashtu në 3 milion më pak sulme të astmës, raportoi të mërkurën Shoqata Amerikane e Mushkërive, me kusht që të mos ketë më vetura me gaz në rrugë deri në vitin 2035.

E kombinuar me prodhimin më të pastër të energjisë elektrike përmes burimeve të rinovueshme si dielli dhe era, kjo mund të gjenerojë mbi 1.2 trilion dollarë përfitime shëndetësore publike gjatë çerek shekullit të ardhshëm.

Raporti llogarit se çfarë ndikimesh shëndetësore do të kishte reduktimi i emetimeve te njerëzit që jetojnë pranë rrugëve të ngarkuara ose pranë prodhimit të energjisë elektrike me doza të papranueshme të ndotjes toksike të ajrit.

“Këto përfitime do të merrnin formën e shmangies së deri në 110,000 vdekjeve të parakohshme, së bashku me afro 3 milion sulme astme dhe mbi 13 milionë ditë pune të humbura për shkak të ajrit më të pastër”, thuhet në raport.

“Politikat dhe investimet duhet të kenë prioritet komunitetet me të ardhura të ulëta dhe komunitetet me ngjyrë që mbajnë një barrë joproporcionale të ndotjes. Juridiksionet shtetërore dhe lokale duhet të veprojnë për të zbatuar politikat sa më shpejt të jetë e mundur.”

Raporti thekson gjithashtu se një tranzicion i tillë i shpejtë do të shmangte "pasoja edhe më të tmerrshme të ndryshimit të klimës" në shkallë globale.

Shumë vende kanë marrë tashmë angazhime për të ndaluar shitjen e automjeteve me lëndë djegëse fosile gjatë viteve të ardhshme për të përmbushur objektivat klimatike, ndërsa disa kompani të mëdha automobilistike kanë njoftuar se do të ndalojnë prodhimin e tyre.

SHBA dhe Kina, të cilat përfaqësojnë dy tregjet më të mëdha të makinave, kanë objektiva të shitjeve të automjeteve me emetim zero 100 për qind deri në vitin 2040, ngjashëm me Britaninë e Madhe dhe Evropën.

Pavarësisht këtyre objektivave, vetëm 4.6 për qind e veturave të shitura në SHBA në vitin 2021 ishin elektrike, sipas shifrave nga Byroja e Statistikave të Punës të SHBA.

Në Britaninë e Madhe, është regjistruar një rritje kohëve të fundit të shitjeve të veturave elektrike, duke tejkaluar ato me naftë për herë të parë vitin e kaluar.

/Motilokal.com