Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pa deklaratave të ministrit të Financave, Hekuran Murati për projektin e ngrohjes solare “Solar4Kosovo”.
Rama ka thënë se puna e tij po u pengon ministrave të caktuar të Qeverisë së Kosovës dhe se ky projekt duhet t’i bëjë bashkë të gjithë.
“Projekti Solar4Kosovo duhet të na bëjë bashkë, e jo të na ndajë. Për të parën, unë po punoj për çdo ditë - për të dytën, Ministri i Financave. Tash e sa kohë, puna ime po u pengon ministrave të caktuar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilët në vend se të ndihmojnë në zhvillimin e Kryeqytetit, bllokojnë projektet e sulmojnë me gjuhën më të ulët”, ka deklaruar i pari i Prishtinës.
Ai tutje theksoi se një prej këtyre sulmeve ndodhi edhe dje, kur Kryeqyteti nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Obiliqit, për realizimin e projektit të Ngrohjes Diellore “Solar4Kosovo”. Me anë të kësaj marrëveshjeje ne si Kryeqytet kemi marrë përgjegjësinë që të kryejmë obligimet financiare që do të dalin nga procesi i shpronësimit të pronave të cekura në marrëveshje, sepse pa këtë shpronësim nga ana e Kryeqytetit nuk bëhet projekti.
Rama tha se për këtë marrëveshje, Kryeqyteti dhe Komuna e Obiliqit, kanë punuar 18 muaj në mënyrë intensive dhe në këtë proces kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Mjedisit, për ta rregulluar jetën e qytetarëve.
“Ngjashëm, edhe sulmet rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, nuk kanë të ndalur, me tentime për neutralizimin e rolit që ka Kryeqyteti si nikoqir në organizimin e kësaj ngjarje historike. Sipas marrëveshjes, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare i beson qytetit të Prishtinës dhe Komitetit Olimpik, organizimin e lojërave mesdhetare në Kryeqytet”, u shpreh ai.
Sipas tij kjo gjuhë e përdorur nga ministra të caktuar të Qeverisë përveç se e dëmton organizimin e këtyre Lojërave, e prish edhe imazhin e Kosovës.
“Më tutje, këta ministra: i mbajtën afër 30 milionë Euro buxhet të Kryeqytetit në mënyrë të padrejtë deri në muajin korrik 2023; nuk e përfshinë Kryeqytetin në përzgjedhje të projekteve të mëdha infrastrukturore siç është Salla e Operas dhe Baletit; vazhdojnë të bllokojnë projektin e Unazës së Kryeqytetit; dhe vazhdimisht refuzojnë kërkesat për bashkëpunim”, tha Rama.
“Prandaj, si Kryetar i Kryeqytetit do të vazhdoj punën me përkushtim për transformimin e Kryeqytetit në frymë bashkëpunuese dhe ju bëj thirrje ministrave përkatës të ndryshojnë qasjen në raport me Prishtinën dhe të angazhohen për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim”, theksoi kryetari i Prishtinës.
/Motilokal.com
