Prodhuesi vietnamez VinFast duhet të dorëzojë 3000 modele elektrike VF8 në BE deri në fund të këtij viti, gjë që do ta bënte Evropën tregun më të madh të huaj të VinFast. E gjithë historia është paksa e çuditshme, sepse po ndodh në momentin kur BE-ja nisi një hetim për veturat elektrike kineze dhe planifikon t'u vendosë tarifë doganore.
Prodhuesi vietnamez i automjeteve elektrike VinFast planifikon të dorëzojë automjetet e tij të para elektrike në Evropë këtë vit pas marrjes së miratimit rregullator, tha shefi i saj, Le Thi Thu Thuy. E gjithë kjo po ndodh ndërkohë që Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e tarifave ndaj konkurrentëve kinezë.
Sipas planit, rreth 3000 SUV VF8 do të dërgoheshin në Francë, Gjermani dhe Holandë, ndërsa një pjesë më e vogël do të shkonte në Izrael. Kjo do të realizohet në tremujorin e katërt dhe automjetet do të eksportohen nga fabrika e VinFast në Vietnamin verior. Nëse qëllimi realizohet, Evropa do të bëhet tregu më i madh i VinFast jashtë shtetit këtë vit. Kompania vietnameze dorëzoi rreth 2100 automjete elektrike në Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij viti.
VinFast u detyrua të vonojë lëshimin e tij evropian nga gjysma e dytë e 2022 për shkak të mungesës globale të çipave. “Ne presim t'i dorëzojmë modelet e para VF8 për klientët francezë, gjermanë dhe holandezë në tremujorin e fundit të këtij viti”, tha Thuy, duke shtuar se modelet e tjera VF6, VF7 dhe VF9 do të lansohen në tregun evropian vitin e ardhshëm.
Disi çuditërisht, sulmi i VinFast në Evropë vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian po nis një hetim mbi subvencionet kineze për automjetet elektrike për shkak të frikës se tregu do të përmbytet me importe të lira kineze. Prodhuesit kinezë të automjeteve, duke përfshirë liderët e automjeteve elektrike BYD, MG dhe Nio, po përgatiten të rrisin shitjet në Evropë me një sërë automjetesh elektrike me çmime konkurruese. Ata njoftuan gjithashtu hapjen e fabrikave për të pasur çmime edhe më konkurruese dhe për të shmangur barrën doganore.
/Motilokal.com
