Duket se ditëve me diell dhe temperatura të larta gjatë muajit shtator, po i vjen fundi. Gjatë kësaj fundjave, prej ditës së sotme pritet një ndryshim i kushteve atmosferike dhe përkeqësim i motit.
Drejtoria Detare njofton se për tre ditët në vazhdim do të jenë të pezulluara lundrimet për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit.
Njoftimi i plotë:
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj gjatë datave 22-23-24.09.2023 duke filluar nga ora 08:00 datë 22.09.2023 në drejtimin Jug-Jug-Lindje në forcën deri 6bft me shpejtësi ere deri 15m/s, dhe lartësi dallge deri 2.50m brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë gjirit të Vlorës në forcën deri 7bft me shpejtësi ere deri 25m/s dhe lartësi dallge nga 2.00 deri 2.50 metra.
1. Është ndaluar dhënia e leje - nisjes gjatë datave 22-23-24.09.2023 duke filluar nga ora 08:00 për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijeve të peshkimit që operojnë jashtë gjirit të Vlorës dhe janë njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e tyre.
2. Mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda gjirit të Vlorës të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuara dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.
3. Janë njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe për marrjen e masave për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 22-23-24.09.2023
4. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.
5. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 12:00 të datës 24.09.2023.
/Motilokal.com
