Ndikimi i CO2 në shëndetin mendor

Ndikimi i CO2 në shëndetin mendor

Një grup studiuesish nga Universiteti i Kolorados në SHBA, në bashkëpunim me “Shkollën e Shëndetit Publik të Kolorados” dhe Universitetin e Pensilvanisë kanë arritur në përfundimin se nivelet e larta të CO2 kanë ndikim mbi aftësitë njohëse (të nxënit) tek nxënësit dhe studentët.

Studimi është prezantuar pranë Institutit të Gjeofizikës Amerikane gjatë këtij viti me një përshkrim të detajuar mbi punën kërkimore shkencore të realizuar mbi këtë tematikë.

Sasia e CO2 që po emetohet çdo ditë në atmosferë përveçse po ngroh planetin, por njëkohësisht gazi karbonik (CO2) në rritje mund të ndikojë më tej edhe duke shkaktuar një tjetër problem për njerëzimin, i cili ka të bëjë me veprimtarinë tonë mendore (aftësinë për të perceptuar dhe deshifruar informacionin që i përcillet trurit të njeriut). Studiuesit shprehen se nivelet e CO2 më të larta se norma mund të shkaktojnë probleme mbi njohjen dhe perceptimin korrekt të botës që na rrethon.

Lidhur me këtë çështje, studiuesit kanë vlerësuar eksperimentalisht problemin e rritjes së niveleve të CO2 në atmosferë dhe ndikimin e tij jo vetëm te nxënësit, të cilët mësojnë në një klasë.

Sipas studiuesve edhe vlerësimet e mëparshme kanë treguar se një auditor me ajër të ndotur (përfshirë dhe CO2) mund të shkaktojë probleme njohëse (perceptuese), problem, të cilit i ofrohet një zgjidhje manuale duke i bërë ventilim natyral ambientit; por situata pështjellohet më tej kur vetë ajri i “pastër” ka nivele të larta të CO2. Studiuesit krijuan dy modele për të bërë vlerësimet përkatëse, ku në njërin rast ambienti ventilohet dhe në tjetrin nuk ventilohet.

Studiuesit pas eksperimenteve raportojnë se sipas skenarit të parë kur ambienti nuk ventilohet me ajër të “pastër” që vjen nga jashtë, nxënësit janë të ekspozuar ndaj dëmit që CO2 shkakton, saqë sipas vlerësimeve aftësia e tyre njohëse do të zvogëlohet me 25% deri në vitin 2100. Sipas skenarit të dytë ku ambientet ventilohen duke hapur dritaret e sallës rezulton se studentët ishin sërish të ekspozuar, por ajo që u evidentua ishte reduktimi i aftësive njohëse/perceptuese me 50% pas hapjes së dritareve të sallës.

Ky është nga studimet e para ku vlerësohet ndikimi i CO2 në të tilla nivele dhe nga ky studim tregohen qartë pasojat që ndotja atmosferike dhe prania e lartë e CO2 shkaktojnë mbi qenien humane. Sipas studiuesve zgjidhja e problemit mund të arrihet duke iu dhënë fund emetimeve të CO2./Motilokal.com

Përgatiti: Elsuida Hoxha