Në tregjet botërore çmimet e naftës u rritën për të dytën javë radhazi, duke arritur nivelet më të larta këtë vit, si pasojë e vendimit të prodhuesve më të mëdhenj botërorë për të ruajtur reduktimin e prodhimit.
Në tregun e Londrës, çmimi i fuçisë u rrit me 2.4 për qind javën e kaluar, duke arritur në 90.65 dollarë, niveli më i lartë që nga nëntori i vitit të kaluar.
Në tregun amerikan, çmimi i fuçisë u rrit me 2.9 për qind, duke arritur në 87.50 dollarë, që është niveli më i lartë që nga shtatori i vitit të kaluar. Rritja e dytë radhazi e çmimeve është rezultat i vendimeve të Arabisë Saudite dhe Rusisë për të ulur prodhimin. Arabia Saudite njoftoi javën e kaluar se do të shkurtonte prodhimin me 1 milion fuçi në ditë deri në fund të vitit, duke habitur tregtarët që prisnin që ajo të zgjaste vendimin për të shkurtuar furnizimin vetëm deri në fund të tetorit.
Nga ana tjetër, Rusia ka vendosur të ulë eksportet e naftës me 300 mijë fuçi në ditë deri në fund të vitit. Qëllimi i uljes së prodhimit të këtyre vendeve është ruajtja e çmimeve të larta të naftës, duke qenë se kërkesa po dobësohet për shkak të ngadalësimit të rritjes së ekonomive më të mëdha në botë.
Tregtarët shpresonin për një rritje të kërkesës nga Kina pas heqjes së masave kufizuese për shkak të pandemisë në fillim të vitit. Megjithatë, rimëkëmbja e ekonomisë së dytë më të madhe në botë nga kriza e shkaktuar nga Covid është shumë më e ngadaltë sesa pritej. Gjithashtu, rritja e ekonomive perëndimore po ngadalësohet sepse bankat qendrore kanë rritur normat e interesit për një vit e gjysmë për të frenuar inflacionin.
Analistët theksojnë qartë se pritet një ulje e mëtejshme e kërkesës për naftë, prandaj janë plotësisht të kuptueshme vendimet e prodhuesve më të mëdhenj në botë për të ulur prodhimin për të mbështetur çmimet.
Pas dy javësh rritje, çmimet e naftës tashmë janë më të larta se në fillim të vitit. Në tregun e Londrës, çmimi i fuçisë është rritur me më shumë se 5 për qind krahasuar me fillimin e vitit, ndërsa në tregun amerikan rritja ishte gati 9 për qind.
/Motilokal.com
