Koronavirusi nuk e ka prekur Shqipërinë. Edhe 5 persona të dyshuar të ardhur nga Kina, pas testimit rezultuan negativë ndaj virusit të ri.
Gjatë mbledhjes së grupit “task forcë”, specialistë e drejtues të shëndetësisë theksuan rrezikun e ulët për depërtimin e koronavirusit.
“Shqipëria mbetet vend me risk të ulët sa i përket këtij virusi, por vigjilenca dhe i gjithë sistemi shëndetësor dhe gjithë institucionet partnere janë të gjithë të angazhuara në zbatim të masave”, tha ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manstirliu, raporton.
Në muajin shkurt, në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik do të bëhet diagnostikimi për virusin e ri nga Wuhani, ndërkohë që deri tani analizat kryhen për koronaviruset e tjera.
Deri tani në Shqipëri kanë hyrë nga Kina 100 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Pas kontrolleve dhe monitorimeve të autoriteteve shëndetësore nuk janë konstatuar probleme në lidhje me virusin e ri i cili është përhapur në 26 shtete të botës.
Në kuadër të masave të marra vijimisht për koronavirusin në vendin tonë, Task – Forca e strukturave shëndetësore dhe ekspertëve është mbledhur sërish ditën e sotme dhe ka raportuar lidhur me parandalimin dhe kontrollin e koronavirusit. Ministrja Manastirliu ka rikonfirmuar se deri tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus dhe rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri vazhdon të mbetet i ulët.
Gjatë raportimit në fjalë u deklarua se, në çdo pikë kufitare janë ngritur dhoma të posaçme për monitorimin e rasteve të dyshuara. Është përcaktuar rruga që ndjek çdo person që dyshohet që është i kontaminuar. Çdo rast i dyshuar, i mundshëm ose i konfirmuar me 2019 -nCoV e ri, do raportohet menjëherë pranë NJVKSH-së përkatëse dhe më pas prej NJVKSH-së ose direkt pranë ISHP-së me formularin rutinë të njoftimit. Kjo procedurë duhet të zbatohet menjëherë dhe brenda 24 orëve menaxhimi i transportit të rasteve do të kryhet nga Urgjenca Mjekësore Kombëtare. Çdo rast do të hetohet sipas udhëzimit përkatës, me qëllim : ndjekjen e kontakteve të rastit të dyshuar, të mundshëm ose të konfirmuar me 2019 n-CoV.
Janë marrë masat në Spitalin Infektiv në QSUT, me dhomat e izolimit të cilat janë pajisura me mjetet përkatëse : aparatet respiratore të monitorimit, sistemin e gazrave mjekësor, si dhe mjetet personale mbrojtëse. Edhe pse rreziku mbetet i ulët, MSHMS-ja po forcon masat paraprake.
Janë marrë masat në Institutin e Shëndetit Publik për furnizimin me kite reagentë për kryerjen e analizës së koronaviruseve. Deri tani janë testuar gjithsej katër raste, të cilat kanë rezultuar negative ndaj koronavirusit.
Po vijohet me trajnimet me strukturat shëndetësore, me përfaqësues të QKUM dhe NjVKSH në vend, mbi parapërgatitjen për masat e kontrollit të infeksionit 2019 – nCoV ( koronavirusi i ri).
Është menduar organizimi i karantinës, nëse do të jetë e nevojshme.
Është rritur shkëmbimi i informacionit (në kohë reale) mes strukturave të Ministrisë së Shëndetësisë, si: ISHP, ISHSH, QSUT dhe Spitalit “Shefqet Ndroqi”. Mes këtyre strukturave ka një koordinim të masave bazuar mbi rekomandimet e OBSH-së.
Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët të cilët kanë udhëtuar së fundmi në Kinë dhe kanë shenjat e mëposhtme: Kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje, të telefonojnë urgjencën kombëtare 127!
Rekomandime dhe këshilla nga OBSH
Gjatë shpërthimeve të mëparshme nga koronaviruset e tjerë (Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme “MERS” dhe Sindroma Respiratore Akute e Rëndë “SARS” ), transmetimi nga njeriu te njeriu ndodhi përmes spërklave të përshtymës, kontaktit të drejtpërdrejtë human (fizik), apo kontaktit indirekt (nëpërmjet sipërfaqeve/objekteve të kontaminuara). Këto fakte sugjerojnë që mënyra e transmetimit të 2019-nCoV mund të jetë e ngjashme. Parimet themelore për të zvogëluar rrezikun e përgjithshëm të transmetimit të infeksioneve akute të frymëmarrjes përfshijnë masat e mëposhtme:
- Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
- Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.
- Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake ashtu edhe të egra).
- Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami/letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve).
- Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.
Në rast të simptomave të lidhura me infeksionet respiratore, qoftë gjatë udhëtimit ashtu edhe pas tij, udhëtarët inkurajohen të kërkojnë kujdes mjekësor dhe të ndajnë historinë e tyre të udhëtimit me personelin shëndetësor./Motilokal.com
Informacion për shkallën e përhapjes së koronavirusit të ri 7 shkurt 2020
Situata aktuale ndërkombëtare
Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së e datës 7 shkurt 2020-të është si më poshtë:
- Në nivel global, janë raportuar në total 31 503 raste të konfirmuara me 2019 –
- Në Kinë: 31 217 raste të konfirmuara 637 vdekje
- Jashtë Kinës: 286 raste të konfirmuara
1 vdekje në Filipine
26 shtete të përfshira
Tabela më poshtë paraqet numrin e rasteve të konfirmuara deri në datën 7 shkurt 2020 sipas shteteve (sipas ECDC): https://www.ecdc.europa.eu/en/novel-coronavirus-china
| Shteti | Nr i rasteve të konfirmuara (7 shkurt 2020) |
| Kina | 31 217 |
| Japoni | 86 |
| Republika e Koresë | 24 |
| Vietnam | 12 |
| Singapor | 30 |
| Australi | 15 |
| Malajzi | 14 |
| Kamboxhia | 1 |
| Tajland | 25 |
| Taivan | 16 |
| Nepal | 1 |
| Indi | 3 |
| Filipine | 3 |
| Sri Lanka | 1 |
| USA | 12 |
| Kanada | 7 |
| Finlanda | 1 |
| Franca | 6 |
| Gjermani | 13 |
| Rusia | 2 |
| Spanja | 1 |
| Belgjika | 1 |
| Suedia | 1 |
| Anglia | 3 |
| Italia | 3 |
| Emiratet e Bashkuara Arabe | 5 |
| Total | 31 503 |
