Janari i këtij viti u regjistrua si muaji më i ngrohtë në histori. Temperatura globale për muajin e kaluar ishin më të larta se çdo janar tjetër, duke thyer edhe rekordin e janarit të vitit 2016, njoftoi Agjencia për Ndryshimin e Klimës Kopernikus.
Edhe në Evropë janari i 2020-ës ishte rreth 0.2 ºC më i ngrohtë se rekordi i mëparshëm i viti 2007, dhe 3.1 ºC mbi mesataren e regjistruar midis viteve 1981 dhe 2010, tha Kopernikus.
Sipas Kopernikus temperaturat mesatare ishin veçanërisht të larta në pjesë të mëdha të Evropës Verilindore, në disa zona më shumë se 6 °C mbi mesataren e janarit të viteve 1981-2010.
Ndërsa viti 2019 shënoi fundin e dekadës më të ngrohtë në rekord, duke u regjistruar si viti i dytë më i ngrohtë i matur ndonjëherë.
Periudha më e ngrohtë 12 mujore mbetet Tetori i vitit 2015 deri në Shtator të 2016-ës, ku temperatura mesatare ishte 0.66 °C nga 1981 deri në vitin 2010.
Këto mesatare po rrisin temperaturat globale afër vijave të kuqe të përcaktuara nga shkencëtarët e klimës dhe liderët botërorë.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar se temperaturat globale duhet të mbahen shumë më poshtë se 2 °C të ngrohjes. Komuniteti ndërkombëtar, siç përshkruhet përmes Marrëveshjes së Klimës në Paris, deklaroi se vendet pjesëmarrëse do të përpiqen të mbajnë ngrohjen globale të kufizuar në 1.5 °C.
Kurse viti 2016 mundi të gjitha rekordet e temperaturave për shkak të ndikimit të fenomenit meteorologjik El Niño./Motilokal.com
