Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MEI) po mbështet zhvillimin e projekteve për rritjen e kapaciteteve energjetike përmes diversifikimit të burimeve të rinovueshme.
Pas Karavastasë dhe Spitallës, kjo ministri bën të ditur se në muajin qershor të këtij viti do të hapet procesi i radhës konkurrues për kapacitet të instaluar 300 MW (PV), i cili parashikohet të përfundojë në muajin tetor.
Duke iu referuar ndryshimeve ligjore në ligjin “Për nxitjen e burimeve të rinovueshme”, Ministria e Energjisë shpjegon se çdo ofertues duhet të identifikojë dhe të propozojë vendndodhje të përshtatshme për projektimin, financimin, ndërtimin dhe operimin e impianteve fotovoltaike, për një kapacitet të instaluar total deri në 100 MW për ofertues.
“Projektet e përzgjedhura deri në kapacitetin e instaluar 300 MW do të nënshkruajnë marrëveshje për blerjen e energjisë, për një periudhë 15-vjeçare, me çmimin që ata janë shpallur fitues në procedurën konkurruese”, thuhet në njoftim.
Që nga viti 2019, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përfunduar me sukses dy ankande për parqe fotovoltaike për një kapacitet total prej 240 MW dhe aktualisht po kryen ankandin e parë të erës në tokë me fuqi deri në 150 MW.
/Motilokal.com
