Fillon operimin Bursa Shqiptare e Energjisë

Fillon operimin Bursa Shqiptare e Energjisë

Bursa Shqiptare e Energjisë nisi sot operimin duke hapur edhe ankandin e parë të tregut të ditës në avancë.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi në ceremoninë e nisjes së operimit të Bursës se Shqipëria është sot në pozitat më të mira në rajon sa i përket strategjisë energjetike.

“Shqipëria është në një nga pozitat më të mira në rajon sa i përket strategjisë energjetike dhe zhvillimit që do t’i japim vendit për të arritur objektivin për të qenë një vend eksportues neto energjie në vitin 2030. Ka qenë një rrugë e vështirë për të dizanjuar këtë strategji dhe për ta bërë atë koherente. Diversifikimi i burimeve të rinovueshme është synimi kryesor, por nuk harrojmë faktin se qëndrueshmëria dhe siguria energjetike mbeten kryesoret”, tha ajo.

Balluku vuri në dukje se, viti 2022 shënoi nevojë ekstreme të të pasurit të një burse për Shqipërinë dhe Kosovën.

“Kjo është një punë 5-vjeçare dhe në disa momente dukej e pamundur, por viti 2022 ka shënuar nevojën ekstreme të të pasurit të një burse energjetike për Shqipërinë dhe Kosovën. Sot lançojmë ankandin e parë të ALPEX-it të ditës në avancë, duke krijuar kështu një mundësi që brenda 12 muajve të kemi edhe tre ankande ditore, duke kompletuar këtë proces”, tha Balluku.

Sipas saj, kjo është bursa e dytë në rajon, që i përket Shqipërisë dhe Kosovës.

“Do të jetë një sfidë e re. Tani nis një hap i ri për krijimin e likuiditeteve që duhet të ketë kjo bursë. Prioritet i qeverisë shqiptare mbetet mbrojtja e familjarëve dhe bizneseve nga çmimet marramendëse të tregut”, deklaroi Balluku.

Zv/kryeministrja vuri në dukje se edhe pse duket sikur çmimet janë stabilizuar, askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në sezonin veror.

Balluku theksoi se, prodhuesit privatë të energjisë do të kenë mundësi të konkurrojnë me njëri-tjetrin duke përfituar nga bursa, por duke i dhënë mundësinë edhe industrisë vendase dhe tregut ndërkombëtar për të marrë energji elektrike me çmime sa më të konkurrueshme, e sa më të ulëta.

“Ju bëj thirrje të gjithë prodhuesve të energjisë elektrike dhe tregtarëve të tregojnë besim në këtë instrument të ri të dixhitalizuar që krijon transparencë të plotë, për ta bërë sa më funksionale dhe dhënë mundësi që ajo koha e gjatë e kolaudimit të jetë sa më e shkurtër dhe ALPEX të shërbejë si instrument çlirues nga detyrimi për të blerë energji me çmime të larta”, tha ajo.

Ndërkohë, në ankandin e parë u paraqit çmimi mesatar dhe volumet e tregtuara. Çmimi mesatar i shitjes së energjisë për 24 orët e ardhshme rezultoi 130.98 euro/MWH ndërsa volumet e shitura janë 7146.2 MWH

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, gjatë fjalës së saj në aktivitet theksoi se tregu i përbashkët siguron mundësi të reja biznesi dhe më shumë tregti ndërkufitare.

"Sot po e hapim ALPEX-in në një kohë kur Evropa e gjen veten në një pikë kthese historike. Përderisa mbrojmë kolektivisht vlerat tona, paralelisht na mbetet që të nxjerrim mësimet e nevojshme për të afruar politikat tona me politikat evropiane. Sektori i energjisë pa dyshim mbetet më i prekuri duke rritur barrën për qeveritë dhe qytetarët tanë. Në këtë kontekst është bërë më e qartë se kurrë sesa e rëndësishme është që të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në kohë të vështira", tha Rizvanolli.

Në aktivitet mbajti një fjalë përshëndetëse edhe ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, cila e konsideroi të rëndësishme Bursën Shqiptare të Energjisë.

"Ndërsa Shqipëria integron tregun e saj me Kosovën po e shohim këtë edhe si një bazë për integrimin brenda Ballkanit Perëndimor si dhe Ballkani Perëndimor që integrohet brenda Evropës. Kjo është arsyeja pse është diçka kaq e rëndësishme. Me këtë projekt nënkuptojmë një çmim më efikas të energjisë elektrike dhe përdorimin efikas, do të thotë të dhëna transparente dhe të besueshme për investitorët në sektorin e energjisë", tha Kim.

Sipas autoriteteve të Shqipërisë, Bursa Shqiptare e Energjisë, është bursa e dytë operacionale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vjen si një domosdoshmëri për të garantuar transparencë, konkurrencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve.

/Motilokal.com