Kompanitë e teknologjisë duhet të marrin përgjegjësinë për rreziqet që mund të shkaktojë Inteligjenca Artificiale dhe Kongresi duhet të ndërmarrë hapa drejt këtij qëllimi, sipas presidentit amerikan Joe Biden.
“IA mund të ndihmojë në përballimin e disa sfidave shumë të vështira si sëmundjet dhe ndryshimet klimatike, por gjithashtu duhet të adresojë rreziqet e mundshme për shoqërinë tonë, për ekonominë tonë, për sigurinë tonë kombëtare”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë, duke folur para Këshillit të Këshilltarëve të Shkencës dhe Teknologjisë.
Duke thënë se ata u mblodhën së bashku për të vlerësuar mundësitë dhe rreziqet e paraqitura nga Inteligjenca Artificiale, Biden shtoi se ai mendon se kompanitë e teknologjisë janë përgjegjëse për t'u siguruar që produktet e tyre të jenë të sigurta përpara se t'i shpërndajnë ato në publik.
“Mediat sociale na kanë treguar dëmin që teknologjitë e fuqishme mund të bëjnë pa masat e duhura paraprake”, tha ai.
Dështimi për të marrë masat e nevojshme për të frenuar këtë kërcënim mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor, vetë-perceptimin dhe emocionet e të rinjve, paralajmëroi ai.
Biden i kërkoi Kongresit të miratojë legjislacionin dypartiak të privatësisë që vendos kufizime të rrepta në të dhënat personale që kompanitë e teknologjisë mbledhin, bllokon reklamat që synojnë fëmijët dhe gjithashtu sugjeroi që kompanitë e teknologjisë duhet t'i japin përparësi shëndetit dhe sigurisë në produktet që prodhojnë.
I pyetur nëse Inteligjenca Artificiale është e rrezikshme, Biden tha: "Do të shohim me kalimin e kohës", duke shtuar: "Mund të jetë".
/Motilokal.com
