Grupi për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, ka njoftuar se ditën e diel do të organizojë një aksion për pastrimin e Liqenit të Badovcit, duke filluar nga ora 10:00.
“Niveli i ujit në liqenin e Badovcit ka rënë drastikisht, dhe kjo ka bërë që tonelata të tëra mbeturinash të ndryshme nga materiale të ndryshme, të dalin në sipërfaqe, konkretisht brigjeve tani më të thata të liqenit, që dikur ishin me ujë, dhe që pas një kohe prapë do të mbushen me ujë, kur niveli i ujit të kthehet në suaza normale (në pranverë), pas reshjeve dhe akumulimeve nga bora”, thuhet në njoftimin e Grupit.
Më tej në njoftim theksohet se kjo rënie drastike e nivelit të ujit, në njëfarë forme është thirrje për ne që ti dalim në ndihmë Badovcit dhe ta pastrojmë, e këtë e kemi obligim qytetar, njerëzor, ngase nga aj furnizohemi me ujë, dhe e kemi resurs të rëndësishëm edhe për nevoja dhe aktivitete tjera.
Në këtë njoftim kërkohet angazhimi vullnetar i atyre që duan të bëhen pjesë e kësaj nisme.
Aksionin do ta mbështesë Hortikultura si dhe Ujësjellësi Rajonal Prishtina.
Edhe organizata “Let’s Do It Kosova, ka bërë të ditur se do t’i bashkohet aksionit për pastrimin e Liqenit të Badovcit.
“Njoftohen të gjithë vullnetarët se të dielën me datën 26.01.2020 do t’i bashkohemi aksionit vullnetarë për pastrimin e Liqenit të Badocit. Nisja do të bëhet nga zyrat tona (rruga: “Pashko Vasa”, Pejton) në ora 9:30, transporti dhe të gjitha mjetet logjistike do të ofrohen nga organizata”, thuhet në njoftimin e tyre./Motilokal.com
